Qendra e Vizitorëve – MN Sterra e Kujunxhiut
Qendra e Vizitorëve – MN Sterra e Kujunxhiut
- Gjatësia: 1.2 km (vajtje)
- Kohëzgjatja: 1.5 orë
- Vështirësia: mesatare
- Lartësia min: 1000 m
- Lartësia max: 1150 m
Shtegu funksionon si një korridor ekologjik i pasur me biodiversitet: shpendë malorë, insekte të larmishme dhe herë pas herë do të haseni me gjurmë të gjitarëve të vegjël. Gjatë ecjes, vizitori mund të vërejë fenomene interesante si format e shtrembëruara të pishave nga erërat dhe kontrastin e qartë midis pyllit malor dhe pamjes së hapur drejt bregdetit.
Në pikën fundore, Monumenti i Natyrës Sterra e Kujunxhiut, vizitorët gjejnë një vend natyror vrojtimi që ofron një panoramë të gjerë mbi bregdetin e Jonit, Gadishullin e Karaburunit dhe ishullin e Sazanit.
Vegjetacioni dominohet nga Pinus nigra subsp. dalmatica (pisha e zezë e Ballkanit) dhe Pinus heldreichii (pisha e Llogarasë), një specie relikte dhe endemike me rëndësi të madhe shkencore, e përshtatur me kushte klimatike të ashpra dhe erërat e forta të zonës. Përveç tyre hasen edhe shkurre mesdhetare tipike si dëllinja (Juniperus oxycedrus), dushku (Quercus coccifera) etj.




