Delta e Përroit të Palasës – Gjiri i Shën Andreas
Delta e Përroit të Palasës – Gjiri i Shën Andreas
Gjatësia e shtegut: 8 km
Lartësia max: 111 m
Lartësia min: 14 m
Vështirësia: mesatare
Kohëzgjatja: 2 orë
Ky shteg përshkon pjesën perëndimore të gadishullit të Karaburunit përgjatë bregdetit të Jonit. Hyrja në shteg përkon me kufirin jugor të Rezervatit Natyror të Menaxhuar “Karaburun” dhe të Parkut Kombëtar Detar “Karaburun – Sazan”. Peizazhi është interesant, gjatë shtegut takohen gjire shkëmbore si ai i Kuforit në formë “S”-je dhe gjiri i Ropilesë. Bregu është shkëmbor dhe i gjithë shtegu përshkon Parkun Kombëtar Detar “Karaburun-Sazan”, në të majtë të tij.
Shtegu është një rrugë këmbësore e cila para viteve 1990 është përdorur nga ushtria si rrugë lidhjeje midis dy reparteve ushtarake, reparti i Vraleos dhe repartit të Shën Andreas. Gjithashtu ky shteg është përdorur nga punëtorë që grumbullonin zhguallin e frutit të valanidhit në vitet 1980 -1990, i cili përdorej në industrinë e përpunimit të lëkurës . Në ditët e sotme, shtegu përdoret nga banorët e zonës të cilët zhvillojnë blegtori, nga bletërritësit dhe grumbulluesit e bimëve mjekësore. Shtegu, në disa ditë të veçanta të vitit, përdoret dhe për peligrinazh fetar në kishën ortodokse e cila ndodhet në Gjirin e Shën Andreas. Gjitashtu në afërsi të gjirit të Shën Andreas gjendet një shpellë me të njejtin emër.
Gjatë shtegut mungojnë burimet me ujë të pijshëm si dhe nuk ofrohet asnjë strukturë turistike apo shërbim. Këpucët dhe veshjet duhet të jenë të përshtateshme si për ecje të lehtë por edhe të sigurt për arsye të prezencës së nepërkave dhe gjarpërinjve në periudhën Maj – Tetor. Jo e gjithë gjatësia e shtegut mbulohet nga operatorët telefonik.

