Stani i Hysës – Pusi i Gaçit
Stani i Hysës – Pusi i Gaçit
Gjatësia e shtegut: 2.32 km
Lartësia min: 1422 m
Lartësia max: 1471 m
Vështirësia: mesatare
Një ndër shtigjet më relaksues për të apasionuarit e zonave alpine. Në veçanti nga shtigjet e parkut “Mali me Gropa – Bizë – Martanesh”, ky shteg nuk kalon nëpër pyje, por vizitorët mund të shijojnë florë barishtore, e cila është e pasur me lloje të ndryshme. Përgjatë ecjes shijojmë bukuritë mahnitëse të Shëngjergjit dhe basenin ujëmbledhës të Zall Bastarit dhe Qafë Mollës. Përveç këtyre me sy të lirë duken qartë Maja e Tomorrit, dhe zonat e Elbasanit, Librazhdit e Bulqizës; duke e kthyer në një rrugëtim tërheqës. Mali me Gropa është një nga monumentet më të veçantë natyrorë të Shqipërisë me formacionet e tij gjeologjike të jashtëzakonshëm, që i japin pikërisht dhe emrin. Ky peizazh unik, me lugina të thella e forma karstike të krijuara nga proçesi karstik, ose i tretjes në ujë të shkëmbinjve gëlqeror për mijëra vjet, është një dëshmi e fuqisë dhe bukurisë së natyrës.
Në këtë zonë të veçantë, çdo hap ju çon më afër historisë gjeologjike të vendit tonë, ndërsa ajri i pastër dhe qetësia e pyjeve përreth ofrojnë një përvojë të papërsëritshme për të gjithë vizitorët.
Shtegu “Stani i Hysës – Pusi i Gaçit” gjendet në Parkun Natyror “Mali me Gropa – Bizë – Martanesh”.



