Maja e Mëcekut – Pusi i Gaçit
Maja e Mëcekut – Pusi i Gaçit
Gjatësia e shtegut: 1.84 km
Lartësia min: 1471 m
Lartësia max: 1827 m
Vështirësia: mesatare
Një ndër shtigjet më relaksues për të apasionuarit e zonave alpine. Maja e Mëcekut (1827 metra mbi nivelin e detit) është maja më e lart në Parkun Kombëtar “Mali i Dajtit” dhe në Parkun Natyror “Mali me Gropa – Bizë – Martanesh”. E veçanta e këtij shtegu është se nuk kalon nëpër pyje, por vizitorët mund të shijojnë florë barishtore, e cila është e pasur lloje të ndryshme. Prej kësaj maje shohim bukuritë mahnitëse të Shëngjergjit dhe basenin ujëmbledhës të Zall Bastarit e Qafë Mollës. Mali me Gropa (Monument Natyre) është një nga peizazhet më të veçantë natyrorë të Shqipërisë me formacionet e tij gjeologjike të jashtëzakonshme, të cilat i japin dhe emrin. Ky peizazh unik, me lugina të thella dhe forma karstike të krijuara nga proçesi karstik, ose i tretjes në ujë të shkëmbinjve gëlqeror për mijëra vjet, është një dëshmi e fuqisë dhe bukurisë së natyrës.
Në këtë zonë të veçantë, çdo hap ju çon më afër historisë gjeologjike të vendit tonë, ndërsa ajri i pastër dhe qetësia e pyjeve përreth ofrojnë një përvojë të papërsëritshme për të gjithë vizitorët.
Shtegu “Maja e Mëcekut – Pusi i Gaçit” gjendet në Parkun Natyror “Mali me Gropa – Bizë – Martanesh”.




